“Teatri”, artistët tek Avokati i Popullit: Ministria nuk na dëgjon, s’jemi vend pa histori

19

Artistët kanë zhvilluar sot një takim me Avokatin e Popullit, lidhur me debatin e gjerë për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. Regjisori Kastriot Çipi deklaroi se kjo është kthyer në një mollë sherri prej 20 vitesh dhe tipike, sipas tij, është se Ministria e Kulturës nuk ka dashur asnjëherë të dëgjojë zërin e komunitetit.

“Çështja e dytë përveç këtij ligji, është ndërtesa e Teatrit Kombëtar, një mollë sherri prej 20 vitesh. Historia është e gjatë, e dhimbshme, tipike është se ministria nuk ka dashur asnjëherë të dëgjojë zërin e komunitetit. Askush nga ne nuk thotë që ndërtesa të mbetet ashtu siç është. Diskutimi është a duam të kemi një histori apo jo, një qytet me histori apo pa histori. Urbanistë, arkitektë, po shprehim shqetësim për arrogancën e ministrisë”, tha Çipi.

Nga ana e saj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha se nuk ka kaluar ende faza e konsultimit dhe se zëri i artistëve do të dëgjohet edhe në fazat e tjera.

“Nga pikëpamja ime, së pari nëse ka pasur apo nuk ka pasur konsultim me grupin e interesit për ligjin është çështje e parashikuar dhe duhet të ketë. Ju duhet të paraqisni idetë tuaja dhe jo domosdoshmërisht duhet të pranohen, por konsultimi duhet që të kryhet. Kjo fazë nuk ka kaluar. Presioni nuk është gjë e keqe. Zëri juaj do të dëgjohet edhe në fazë të tjera. Duhet para se çfarë ndryshon te ligji. E vetmja gjë që duket se ka impakt dhe është e paqartë është fakti i mundësisë për lirimin para përfundimit të mandatit”, sqaroi Ballanca.