Përjashtohet nga Sanremo, reagon Ermal Meta

40

Pasi mbaroi nata e parë e spektaklit më të famshëm në Itali “Sanremo 2018” u hap lajmi se një ndër këngët më të votuara dhe më të preferuara nga publiku ishte e kopjuar.
Dhe bëhej fjalë për duetin e këngëtarit shqiptar Ermal Meta dhe italianit Fabrizio Moro me titull “Non mi avete fatto niente”.
Organizatorët e Festivalit, që duket se kanë miratuar vendimin e drejtorit artistik Claudio Baglioni, kanë vendosur ta pezullojnë performancën e dy artistëve që parashikohej të bëhej mbrëmjen e sotme.
Në vend të tyre, pas një shorti të hedhur në prani të një noteri, do të marrë pjesë Renzo Rubino, që paraprakisht duhej të performonte ditën e enjte.
Mediet italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv.drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.
“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, do të shprehej fillimisht zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.
Vetëm pak çaste më vonë, sipas asaj që shkruan agjencia e lajmeve ANSA, gjatë konferencës për shtyp të tij, ai do të saktësonte se “bazuar mbi elementët që vihen në diskutim do të bëhen vlerësime të mëtejshme nga studioja ligjore e Rai-t”.

Në lupën e “hetimit” është vënë pikërisht ngjashmëria në një pjesë të tekstit, me këngën “Silenzio” të Ambra Calvanit dhe Gabriele De Pascalit, që u prezantua në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë, në vitin 2016. Edhe kjo këngë kishte për autor Andrea Febo, i njëjti që ka shkruar edhe tekstin e asaj të Metës dhe Moros.

Reagimi i Ermal Metes

Pas këtij lajmi të publikuar ka reaguar vetë këngëtari shqiptar, Ermal Meta me anë të një statusi në Facebook.

“Përshëndetje, është koha për të folur.
Ne kemi dëgjuar të flitet për plagjiaturë kundrejt këngës tonë në Sanremo dhe molla e sherrit është një këngë e shkruar nga Andrea Febo (bashkëpunëtor i vjetër i Fabrizios) e cili u prezantua në përzgjedhjet e Sanremos 3 vite me parë, por u fshi dhe nuk u komercionalizua asnjëherë.
Fabrizio, unë dhe Andrea kemi mbajtur një pjesë të kësaj këngët që të mos sakrifikojmë diça të bukur (siç kemi thënë në intervista) dhe që të tre së bashku kemi shkruar një këngë re me një kuptim krejtësisht ndryshe.
Plagjiaturë do të thotë të kopjosh, por është absurde e qesharake duke pasur parasysh se Andrea Febo e shkroi me mua dhe Fabrizion “Non mi avete fatto niente”.
Për më tepër ne jemi autorë prej shumë vitesh dhe kemi shkruar shumë këngë duke kontribuar në suksese të ndryshme si për veten ashtu edhe për të tjerët.
Kush na njeh, e di.
Kur vendosëm të tregonim një gjendje të përgjithshme me këtë këngë, nuk e bëmë për ta prezantuar në Festival, por për të folur për paqen. Ndihemi shumë keq për atë që ka ndodhur sepse nuk kemi ardhur në Festival për të bërë shaka me njerëzit, por për t’i përqafuar ato.
Jemi të sigurtë që çdo gjë do të shkojë mirë.
Një përqafim, Ermal!”, shkroi këngëtari shqiptar.