Shkodrani Branimir Agovi sukses ne skenat operistike te Vjenes

0
26

Arti ka hartën e tij. Ndërsa hartat kanë kohën e tyre. Disa qendra zbehen, për t’iu mbetur vetëm shkëlqimi i emrit, të tjera, arrijnë të qëndrojnë po aq të rëndësishme në vite dhe gjithmonë ka artistë që nisen drejt tyre, për ta kthyer këtë udhëtim në një të përbashkët të biografive.

Kështu, udhëtimi i këngëtarit të ri lirik nga Shkodra, Branimir Agovit, drejt Vjenës, të kujton pak përqendrimin e piktorëve evropianë në Paris në fund të shekullit XIX, apo vërshimin e aspirantëve amerikanë të kinemasë në Los Angeles, një shekull më vonë. “N.q.s do të kesh sukses duhet të shkosh në vendin e duhur ku ky lloj arti vlerësohet maksimalisht dhe ku flitet për nivel të lartë artistik”, thotë djaloshi 23 vjeç, që aktualisht ka mbaruar studimet Bachelor në Konservatorin e Vjenës për Kanto ku u pranua, sigurisht, me konkurs dhe ka nisur një specializim të fokusar në fushën e operetës. Ndërkaq ka mbyllur tri kontrata për tri angazhime të rëndësishme në muajt në vazhdim, që janë me të vërtetë shumë për një nga mjediset më konkurruese të muzikës klasike ku ai ndodhet. Por ja që ndoshta aty “mundi u vlerësoka”, siç thotë me modesti Branimiri dhe në habitoren që do përdorte çdo shqiptar.

Ai ka studiuar për tetë vjet në shkollën artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër, 4 vjet fizarmonikë dhe 4 vjet kanto. Më pas nisi studimet në Universitetin e Arteve, por pas një viti vendosi të provonte veten në Vjenë…ku duket se producentëve dhe kritikës i ka pëlqyer.

Foto: Orsola Mema, Class Photography

Si shkove në Vjenë?

Vjena ka qenë pa diskutim një ëndërr, unë mendoj që n.q.s do të kesh sukses duhet të shkosh në vendin e duhur ku ky lloj arti vlerësohet maksimalisht dhe ku flitet për nivel të lartë artistik. Duke qenë se në Shqipëri isha pjesë e aktiviteteve të ndryshme, në Shkodër që kur isha fëmijë dhe pastaj në talent show, në Universitetin e Arteve etj., kuptova që kisha nevojë për sfida të reja, ato sfidat që ke ndonjëherë frikë edhe t’i ëndërrosh dhe pa diskutim që ka qenë vendimi i duhur sepse bëhej fjalë për 4 ditë konkurs. Nga më shumë se 100 konkurrentë nga e gjithë bota, e fitojnë të drejtën e studimit vetëm 6.

Meqë përmende aktivitetet artistike dhe talent show-t në Shqipëri, ku ke marrë pjesë, për të ngacmuar pak kujtesën e publikut shkodran dhe shqiptar?

Kam filluar që 8 vjeç të këndoj dhe për herë të parë ka qenë në teatrin Migjeni në Shkodër. Pastaj fillova studimet per fizarmonikë në shkollën tetëvjeçare e më vonë në të mesmen për kanto, me mësuese Rita Ranko Dervishin që i jam falënderues. Kur isha në vitin e tretë, mora pjesë në Star Academy në Tv Klan. Isha vetëm 16 vjeç dhe fitova çmimin e tretë në finale. Dhe nga Star-i u shtuan edhe më shumë koncertet. Mbaj mend që kemi bërë edhe një tur me gjithë produksionin. Kam qenë gjithashtu pjesëtar i një shoqate artistike kori polifonik, “Prenkë Jakova” në drejtimin e Gjon Shllakut me të cilin kemi bërë koncerte në shumë qytete në Shqipëri, por gjithashtu në Berlin, Milano, Mantova, Torino, Novi Sad etj..

Po aty në Vjenë, në çfarë shfaqjesh je angazhuar? Cili ka qenë roli yt i parë solo?

Jam angazhuar me produksione të ndryshme, brenda dhe jashtë universitetit. Roli im i parë solo ka qenë Cascada e Lustige Witwe e Franz Lehar. Gjithashtu kam qenë edhe aktor në një vepër tjetër të Maksim Gorkit ku më duhej të flisja e të interpretoja në gjuhën gjermane për rreth 2 orë e gjysmë në skenë. Një punë e madhe profesionale e të komunikuarit. Eksperiencë e jashtëzakonshme ka qenë në EntArteOpera Festival ku kam kënduar rolin kryesor të një vepre të kompozuar nga një grua e cila kishte më shumë se 70 vite pa u dëgjuar dhe ishte emocion i veçante që publiku e dëgjonte për herë të parë pas kaq vitesh, këtë vepër, në Vjenë.

Nga vepra e Maksim Gorkit

Gjate interpretimit ne EnteArteOpera

Cilës grua? Ka një emër…

Ka dhe ka edhe një histori shumë interesante. Menaxheri i kishte thënë që për të qenë e suksesshme duhet të jesh burrë, kështu qe ajo e ka pasur emrin e artit Henry Love, por emri i saj i vërtetë është Hilde Loewe dhe ka jetuar në vitet 1895-1976. Vepra është Der Fensterputzer von Monte Carlo.

Ke interpretuar edhe në operën Carmen.

Po. Në Ohpera Theater në Kaertnen, ku kam qenë në rolin e Remendados. Ka qenë një eksperiencë fantastike. Dhe kritika tha fjalët më të mira. Gjithashtu, gjatë kësaj vere kam bërë plot 35 shfaqje në ansambël në Bad Ischl Lehar Festival në 3 produksione të ndryshme. Tani jam gjithashtu duke përjetuar një eksperiencë të veçantë duke kënduar në korin e Operës Shtetërore të Vjenës në veprën Parsifal – R.Wagner në 6 shfaqje. Besoj është një eksperiencë që kam për ta mbajtur mend si artist i ri duke qenë se ai teatër është magjik.

Si kategorizohet zëri yt?

Zëri im është bariton lirik, por që mendohet të shkojë drejt rrugës së një tenori (gjëra teknike :)).

Branimir, të shkojmë edhe një herë pas, sepse e ardhmja duket vërtet premtuese dhe shpresoj që për sukseset e tua do flitet në kohën e tyre…Kush të ka zbuluar ty?

Mua më ka zbuluar një emër i shquar i muzikës së lehtë shqiptare, këngëtarja Myfarete Laze. Asokohe isha vetëm 8 vjeç dhe motra e madhe 13 vjeç. Në atë kohë motra ime ishte në korin e shkollës. Unë e prisja që të mbaronte provat dhe çdo herë, kur këndonte, këndoja edhe unë bashkë me to. Motra që skuqej dhe më bënte me shenjë që të qëndroja mirë e mos të këndoja se mos i prishja mësimin. Ndërsa Myfarete Laze, që ishte mësuesja e muzikës, e sheh këtë situatë dhe i thotë motrës “po lene djalin të kndojn’ se m’duket keka i talentum” e kështu nisi çdo gjë dhe unë fillova të këndoj solo që fëmijë. I jam falënderues shumë Myfarete Lazes për fillimet e mia në rrugën e njohjes me muzikën.

Në familjen tuaj keni artistë të tjerë? Motra e ka vazhduar rrugën e kantos?

Jo, në familjen time jam i vetmi që merrem me muzikë, pavarësisht se talentin e kam nga babai që ka një vesh muzikor perfekt. Motra, siç thashë, ka kënduar në korin e shkollës, por ishte thjesht pjesë e hobit më shumë sesa ta merrte seriozisht si profesion. Pa diskutim, si çdo familje shkodrane, muzika ka qenë e pranishme gjithmonë, por n.q.s. nuk do të ishte mbështetja e familjes time unë pa diskutim që nuk do isha sot këtu. Falënderimi i takon Zotit dhe familjes sime.

Dhe aty në Shkodrën tënde artistike, ti ke qenë shokë me dy këngëtare të tjera shqiptare, Elhaida Danin dhe Dorina Garucin…E ndiqni njëri-tjetrin, i ruani ende marrëdhëniet? Na trego pak për këtë miqësi.

Po, jemi miq të ngushtë që në moshën 10-vjeçare. Kemi qenë të tre në një klasë për 8 vjet bashkë. Më vonë, unë dhe Dorina vazhduam përsëri bashkë në të njëjtin konservator në Vjenë, por në degë të ndryshme, unë në kanto, ndërsa ajo në musical, ku pa diskutim ka pasur suksese të ndryshme në role kryesore. Momentalisht po përgatitet për rolin e Soul Girl në musical-in Jesus Christ SuperStar në Ronacher Theater këtu në Vjenë. Është një miqësi që është bërë me kohën më e fortë duke qenë se kemi plot 13 vite që jemi në të njëjtën shkollë dhe miq të ngushtë. Unë jam pjesë e çdo shfaqjeje të saj në Austri e ajo gjithashtu në çdo shfaqje timen. Është bukur kur dy miq rriten bashkë artistikisht në të njëjtën kohë, e kuptojmë njeri-tjetrin totalisht për çdo ecuri e vështirësi profesionale. Ndërsa Elhaida vendosi që të largohej drejt Italisë ku pati me vonë sukseset e saj, që i dini të gjithë. Pa diskutim që largësia bën të vetën, por kur takohemi duket sikur nuk jemi takuar që dje, e mbështesim pa fund në çdo angazhim të saj artistik, madje kur ishte në Eurovision në Vjenë, pas finales e gdhimë bashkë të tre si në kohën e adoleshencës. Jemi të tre të lumtur sepse ato ëndrrat e adoleshencës tani janë plotësuar e tejkaluar.

Çfarë je duke bërë aktualisht në Vjenë? Si mendon ta vazhdosh rrugën që ke nisur?

Momentalisht jam duke u marrë me studimin e specializimit që përfundon në qershor ku do këndoj 4 shfaqje në rolin kryesor Eisenstein në veprën Die Fledermaus të J.Strauss në Tag Theater në Vjenë dhe më pas do të vazhdoj me 3 audicione që kam fituar, pra 3 kontrata pune që kam firmosur këtë vit. Pas përfundimit të specializimit do të jem në SchlossFestspiele Langenlois në rolin e Vicomte Cacada në Vepren Die Lustige Witwe – Franz Lehar. Është një Festival veror klasik që ka më shumë se 21 vjet traditë. Jam shumë i lumtur që pata fatin të jem pjesë e këtij çasti me njerëz ndërkombëtarë kaq profesionistë, ku do të interpretoj në 10 shfaqje resht. Me mbarimin e shfajeve në gusht, do filloj direkt, në fillim të shtatorit, me një produksion tjetër Herbsttage në Blindenmarkt me veprën Frau Luna- Paul Linke me 16 shfaqje deri në tetor dhe më pas në nëntor, filloj provat për festivalin tjetër që do të jetë një tur, kësaj here në Gjermani me plot 23 shfaqje në 23 qytete dhe teatro të ndryshme, ku do të jem në rolin kryesor të Bonit te vepra Die Cardasfurstin – Emmerich Kalman, gjatë periudhës dhjetor deri në shkurt të vitit 2018. Jam mëse i surprizuar që me përfundimin e studimeve më erdhën një mori audicionesh e mundësish, gjë që nuk e kisha pritur, duke qenë se konkurrenca është shumë e madhe dhe duhet të jesh mëse i lumtur n.q.s. firmos qoftë vetëm 1 kontratë në vit, por me sa duket puna dhe djersa u vlerësokan. Jam i lumtur.

Ti jeton në Vjenë ku nuk mungojnë ca referenca shqiptare, një bust i Aleksandër Moisiut, përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut në një muze. Shqipëria nuk duhet të jetë aq e panjohur aty. Dhe pastaj disa artistë të suksesshëm shqiptarë jetojnë në Vjenë. Disa emra të muzikës klasike njihen ndërkombëtarisht… Çfarë reagimi kanë njerëzit kur mësojnë që je shqiptar?

Në Konservatorin e Vjenës ka studentë nga e gjithë bota dhe ekziston një respekt dhe harmoni ndërmjet shtetesh, kontinentesh e kulturash të ndryshme. Kur marrin vesh që jam nga Shqipëria, kanë një interes duke qenë se është një vend nga nuk kanë shumë informacion, por interesohen për të pyetur për gjuhën shqipe, për kulturën, artistët shqiptarë e çdo gjë tjetër. Edhe jashtë universitetit, njerëzit që kam takuar kanë qenë gjithmonë të interesuar për Shqipërinë. Me vjen mirë që, dita-ditës, dëgjoj që njerëzit këtu kanë informacion dhe shumë prej tyre edhe e vizitojnë Shqipërinë.

A njihen, aq sa ne këtu mendojmë, këngëtarët lirikë shqiptarë në mjediset e ndryshme artistike, por edhe artdashëse të Vjenës, Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, etj.? Është normale që ne jemi të përqendruar te shfaqjet që ata japin, te fjalët që kritika shkruan për ta, por në një mjedis ndërkombëtar, çfarë vendi zënë?

Pa diskutim që të tre artistët e mëdhenj jo vetëm që njihen, por janë edhe shpesh pjesë bisedash me miqtë e mi dhe pedagogët gjithashtu për nivelin dhe profesionalizmin e tyre. E shpesh herë, më ka ndodhur, që kur kam qenë në audicione dhe kanë parë prejardhjen time, kanë bërë komente shumë pozitive për këta artistë. Bëhet fjalë për disa artistë që janë pjesë e teatrove më të rëndësishme në botë dhe unë, si një artist i ri 23 vjeçar, i shoh si pikë referimi.

Si pjesë e publikut, cilat kanë qenë shfaqjet, ekpsozitat, muzetë që ke vizituar në Vjenë dhe sa të ka ndikuar ky mjedis artistik?

Të jetosh 5 vjet në Vjenë është pa diskutim një lloj privilegji për ata që duan kulturën. Në këto 5 vite, kam qenë në shumë muze, ekspozita, teatro, në disa nga të cilat kam qenë edhe pjesë e shfajeve. Ka qenë një eksperiencë e veçantë, kur në gusht 2015, kam interpretuar rolin e Dimitrij Wagin, si aktor kësaj here, në veprën Fëmijët e Diellit të Maksim Gorkit. Në këtë tragjikomedi, kanë qenë pjesë edhe dy këngë shqiptare Lule borë dhe Djaloshi dhe shiu (shiu pik’ pik’ ). Kjo ishte një zgjedhje e vetë regjisorit austriak që donte muzikë shqiptare. E ruaj si një ndër kujtimet më të bukura, duke qenë se kam interpretuar plot 10 shfaqje nga kjo vepër në Armes Theater dhe gjithmonë publiku prapa më priste dhe donte të dinte edhe për këngët shqiptare që kisha kënduar gjatë veprës. Ndërsa si spektator, kam ndjekur pafundësisht shumë shfaqje, opera, opereta, musical, cabaret. Për t’u theksuar, ka qenë Traviata e interpretuar, në rolet kryesore, nga Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho, gjithashtu në Konzerthaus, Joyce Didonato, një mezzosoprano amerikane që është një ndër këngëtaret e mia klasike të preferuara. Ajo natë ka qenë ëndërr në çdo gjë, në çdo detaj dhe e kam gjetur veten dhe duke lotuar. Në këto vite, jam rritur shumë, jo vetëm profesionalisht, por gjithashtu edhe personalisht. Më është dashur të çmësoj shumë mësime të mësuara gabim dhe të mësoj mësime të reja.

Nga vepra e Maksim Gorkit

Çfarë do të thuash me këtë? Ndoshta metodat që ndjekin shkollat shqiptare të artit, nuk të kanë rezultuar të duhurat?

Nuk e kam vetëm për jetën profesionale, por gjithashtu për pjesën jetësore. Ne jemi një popull i vogël në Ballkan, i mbyllur, me shumë paragjykime për çdo gjë. Në këtë aspekt e kisha që kam çmësuar mësime të mësuara gabim dhe i kam mësuar nga fillimi. Gjëja më parësore, të respektosh tjetrin dhe të kesh tolerancë.

Ndërkohë je një djalë i ri që jeton larg familjes në një qytet të huaj? Na trego pak për jetën tënde, si është dita jote aty, si kujdesesh për veten…di të gatuash?

Dita ime mbushet pothuajse vetëm me angazhime muzikore. Jeta private është pothuajse e pamundur me intensitetin dhe përkushtimin që ky profesion do. Zgjohem dhe gjëja e parë që shoh është adresa e emailit. Më duhet gjithmonë të çoj email-e të ndryshme për shkak të profesionit tim. Mundohem që kur kam kohë të lirë, të mbidhemi në një party te shtëpia e disa miqve të mi. Kinemaja është gjithashtu një opsion i shpeshtë imi, por më shumë kohën e lirë e mbush me darkat me miqtë, ndërsa kur kam ndonjë pushim dy-tre ditor, mundohem të udhëtoj. Më pëlqen shumë të vizitoj vende të reja. Dita është e zënë gjithmonë me pjesën e angazhimeve të studimit. Gjithashtu, fundjavave jam në prova për produksionin që po realizojmë për në qershor. Unë jetoj vetëm. Faktikisht në fillim ka qenë e vështirë duke qenë se isha vetëm 19 vjeç dhe nuk isha mësuar me këtë lloj jetese, për t’i bërë të gjitha vetë, por çdo gjë erdhi në mënyrë graduale. Më pëlqen shumë të gatuaj duke qenë se është një art më vete dhe bëj eksperimente të ndryshme :), por shpeshherë nuk më premton koha dhe përfundoj duke ngrënë në universitet ose gjatë provave, diçka të shpejtë aty.

Cili është projekti që mendon se do të sillte në Shqipëri? Si do e prisje një ofertë për të kënduar këtu?

Në Shqipëri pa diskutim që do e vlerësoja ftesën duke qenë se është vendi im dhe pse jo të bëja diçka në pjesën profesionale kulturore për vendin tim. Gjithashtu, nismat e fundit nga drejtoresha e TKOB, Zana Çela më duken shumë profesionale dhe një ide fantastike turi, duke i bërë që të shijojnë operën edhe qytetet e tjera të Shqipërisë, jo vetëm Tirana. Ajo që do më sillte në Shqipëri në këtë periudhë të fillimit të karrierës sime, do të ishte patjetër ndonjë opera gjermane, ose meqënëse po marr edhe specializim në operetë, nëse do këndoja vepra të operetës, shfaqje që, me dijeninë time, nuk para vendosen. Jam më shumë se i bindur që do të ishte sukses i madh.