Nga punëtor ndërtimi në artistin që të gjithë e deshën, kush ishte Rexhep Çeliku

0
17

Është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm artisti i madh Rexhep Çeliku. Ai ka ndërruar jetë rreth orës 2 e 30 të mëngjesit të sotëm.

Pak ditë më parë artistit të madh iu akordua dhe çmimi ‘’Nderi i Kombit” nga ana e Presidentit Meta. Ai nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë.

Rexhepi ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin.

“EETIMES”  i bashkohet ngushëllimeve për familjen e të ndjerit. Arti shqiptar ka humbur një nga emrat më të mëdhenj të tij.

Në nje intervistë dhënë kohë më parë Çeliku shprehej se dikur në vitet e para të karrierës së tij, në monizëm, kishte punuar në ndërtim, ndërsa profesorët kishin spikatur talentin e tij.

‘’ Të rinjtë në kohën e monizmit punonin ose në ndërtim, ose në fermë, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë isha një nga ata të rinj që nuk doja të rrija kot. Duke qenë me trup të madh mendova se, në ndërtim mund të jepja më shumë, pasi edhe lekë kishte më shumë.

Kështu që, tri muajt e verës nisa ndërtimin dhe gjatë kësaj kohe, profesor Panajoti më ka parë teksa punoja mbrapa TKOB-së. Kështu, nisën hapat e parë në këtë institucion dhe më pas nisa kursin e valltarëve.

Më përpara unë nuk e njihja dhe nuk e kisha idenë se kush ishte profesori i nderuar Panajot Kanaçi. Në klasë të shtatë kisha parë vetëm baletin “Peter dhe ujku” që na mësonte shkolla, kaq njohuri kisha përsa i përket artit”, shprehej Çeliku në një intervistë të mëparshme.