Çfarë po paralajmëron Spaho për seancën e parë plenare të këtij viti?

0
18

Seanca e parë plenare e këtij viti  me shumë gjasa do të jetë vazhdim i asaj të 18 dhjetorit.

Këtë la të kuptohet kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

Spaho: Kemi deklaruar se sa kohë Kushtetuta do të jetë e shkelur, institucionet do të jenë ilegjitime, marrëdhënia e opozitës me parlamentin do të jetë e kushtëzuar. Ne nuk do të lejojmë që parlamenti të funksionojë sikur është në kushte normale.

Opozita vijon të mbrojë qëndrimin se zgjedhja e kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm është në shkelje të Kushtetutës dhe reformës në drejtësi.

Për këtë shkak ata kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Por të pyetur se pse nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen , Spaho dhe Fatmir Mediu dhanë këtë përgjigje:

Spaho: Kemi pasur  edhe raste të tjera që i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kemi marrë verdiktin e saj në favor të qëndrimeve të PD dhe kur ka ardhur në Kuvend nuk është zbatuar. Sikurse edhe e dini që vetë Gjykata Kushtetuese është në impast.

Mediu: Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar ligjin për drejtimin e organeve të sistemit të drejtësisë dhe ka shfuqizuar 6 nene të tij që e bëjnë të pavlefshme punën e KLGJ dhe KLP edhe sikur të konstituohen. Është detyrë e Parlamentit të plotësojë këto vakume ligjore. Indiferenca nga ana e parlamentit dhe qeverisë në këtë proces për të vazhduar dhe procedurat me struktura të përkohshme ka vetëm një qëllim, kontrollin e tyre dhe mosrespektimin e reformës në drejtësi dhe Kushtetutës.