Rama-Meta sinjale paqeje,PS tërheq ligjin për Presidentin

0
9

Sinjale paqeje mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas një stine konfliktuale dhe të përndezur politike, e mbushur me akuza të forta nga ana e LSI, kërcënime dhe sulme të ndërsjella, përfshirë edhe prishjen e koalicionit, daljen më vete në zgjedhje dhe shkarkimin e disa drejtorëve të LSI nga ana e PS, mes dy forcave politike ka shkrirje akujsh.

Nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por shumica parlamentare ka hequr nga axhenda e punimeve të Kuvendit projektligjin për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, që do të thotë se kjo nismë ligjore nuk mund të votohet nga Parlamenti për të paktën gjashtë muaj. Projektligji që rregullon veprimtarinë e Presidencës u përfshi në axhendën e punimeve të Kuvendit, për këtë sesion të ri parlamentar, në mesin e muajt shtator.

Ndërkaq, këtë të enjte, u mblodh Konferenca e Kryetrarëve për të përcaktuar programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në 22 dhjetor të këtij muaj. Projektligji për Presidentin e Republikës së Shqipërisë nuk figuron as në programin e punës dhe as në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji për Presidentin figuron me statusin ‘i tërhequr’ edhe në arkivin e projektligjeve dhe ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji për Presidentin ishte depozituar në Kuvend nga deputeti socialist Ulsi Manja, që në fund të viti 2016. Por, nga verifikimet, nisma është tërhequr përfundimisht ditët e fundit.

Lëvizja tjetër
Në të njëjtën kohë, shumica në pushtet është tërhequr, të paktën përkohësisht, edhe nga shkarkimi i kryeprokurorit Adriatik Llalla si dhe nga shkarkimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Siç dihet, përpos Partisë Demokratike, kryeprokurori Adriatik Llalla është votuar dhe mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Krahas tërheqjes nga nismat në fjalë, kryeministri Edi Rama, gjatë seancës së fundit plenare, ftoi opozitën për dialog.

Po gjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta u shfaqën sëbashku në kremtimin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit. Përpos precedencës së përbashkët në ceremonitë për 28-29 Nëntorin, mes Ramës dhe Metës nuk munguan as batutat. Nga ana tjetër, kryetarja LSI, Monika Kryemadhi, ishte në krah të kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ditën Çlirimit.

Projektligji për Presidentin  
Nisma përcaktonte rregulla lidhur me pozicionin e kreut të shtetit, kriteret e përzgjedhjes, pamundësinë në kryerjen e funksionit, procedurën e shkarkimit, ushtrimin e detyrës, statusin e tij, statusin e familjes, organizimin e brendshëm të institucionit etj. Përpos të tjerave, neni 48 i projektligjit, parashikonte që Presidenti, pas mbarimit të mandatit, nuk mund të merrte me vete asnjë dhuratë që ka marrë nga të huajit gjatë vizitave jashtë vendit apo gjatë pritjes së zyrtarëve të huaj në Shqipëri.

Projektligji e detyronte Presidentin të dorëzonte dhuratat e çdo lloji, duke i konsideruar këto të fundit pronë e shtetit dhe jo e kreut të shtetit. Nisma shihej në disfavor të kreut të shtetit, pasi i hiqte edhe disa privilegje Presidentit të Republikës dhe familjes së tij.