Hasani: Tifozë na mbështesni, Vllaznia s’e meriton këtë renditje!

0
18

Edon Hasani u rikthye te skuadra e tij e zemrës merkaton e kësaj vere, ashtu si edhe Erion Vucaj, por deri më tani nuk i ka përmbushur pritshmëritë e klubit dhe tifozëve shkodranë. Në prag të ndeshjes së javës së 13-të të Superiores me Laçin, në “Loro Boriçi”, mesfushori ka dalë në një konferencë për shtyp dhe ka folur me bindje për fitoren me kurbinasit: “E kemi vlerësuar maksimalisht ekipin e Laçit, sepse armën më të fortë ka agresivitetin. Edhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Kam shumë besim se do të dalim me tri pikë nga kjo ndeshje, sepse na ndihmojnë shumë për vazhdimësinë.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi që luajmë në Shkodër dhe, pasi kemi fituar dy të parat, ndaj Lushnjës e Luftëtarit, besoj të triumfojmë edhe me Laçin. Një tjetër trepikësh do të na ndihmonte shumë për të rritur besimin në skuadër, sepse Vllaznia nuk e meriton këtë renditje. Tifozët janë lojtari i 12-të për Vllazninë, një element shumë i rëndësishëm për këtë skuadër, prandaj u bëj thirrje të jenë në stadium nesër, për të na përkrahur. Shpresoj që edhe moti të jetë i mirë dhe ata të jenë sa më të shumtë”.